Disa fshatra të bashkisë Dimal, në qarkun e Beratit, po përballen me përmbytje të mëdha për shkak të daljes nga shtrati të lumit Seman. Uji arrin deri në një metër dhe ka përmbytur serat bujqësore dhe stallat e bagëtive.
Banorët bëjnë të ditur se situata ka qenë e vështirë prej tre ditësh dhe se deri tani askush nuk u ka ardhur në ndihmë. Qindra gjedhë kanë ngordhur, ndërsa blegtorët përpiqen të shpëtojnë sa më shumë kafshë që munden.
Ujërat e Semanit kanë përpirë më shumë se 1.5 km sipërfaqe të shtratit të tij në fshatin Goriçan. Banorët thonë se një përmbytje e tillë ka ndodhur vetëm në vitin 1981 dhe pas 45 vitesh situata paraqitet edhe më alarmante.
Niveli i ujit po rritet për shkak të prurjeve që vijnë nga lumenjtë Devoll dhe Osum, teksa reshjet e shiut vazhdojnë në qarkun e Beratit.
Ende nuk ka një përllogaritje zyrtare të dëmeve, por fermerët dhe blegtorët shprehin se kostot e kësaj fatkeqësie natyrore arrijnë në miliona lekë.