Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë një fjale në Kuvend ka akuzuar Qeverinë Kurti për mosrealizimin e projekteve infrastrukturore, duke përmendur rrugët për në Mitrovicë, Gjilan, Pejë dhe Gjakovë.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar ushtruesi i detyrës së ministrit për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hysen Durmishi. Në një postim në Facebook, ai akuzoi Haradinajn për abuzime gjatë ndërtimit të autostradave në të kaluarën.
“I kanë mbetur merak Ramushit autostradat. Aq shumë merak i keni pasur sa që prej asaj kohe keni dënime dhe aktakuza për keqpërdorim e korrupsion. Për Mitrovicë rruga veçse po përfundon. Për Pejë kemi nënshkruar kontrata 150 milionë euro më lirë se sa kishit planifikuar ju – nga 240 milionë në më pak se 90 milionë euro. Problemet që na keni lënë ju po e ngadalësojnë rrugën për Gjakovë, por tash do të përfundojë përmes procedurave të rregullta ligjore, jo me improvizime dhe abuzime”, shkroi Durmishi.
Ai shtoi gjithashtu se në zgjedhjet e ardhshme AAK mund të mos arrijë të kalojë pragun për të hyrë në Kuvend.
“Nuk e votuat qeverinë, prandaj mbetët në opozitë. Megjithatë ishit në kuvend. Tani, Kuvendin e Kosovës mund ta shihni vetëm në televizor, sepse jeni larg nga pragu”, tha Durmishi.