Përplasja mes Besim Kelmendit dhe Vehbi Kajtazit: Akuzat për shpifje dhe shantazh

Gazetari dhe drejtori i portalit “Paparaci”, Vehbi Kajtazi, ka reaguar pas deklaratave të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, gjatë një konference të jashtëzakonshme të mbajtur të martën.

Kelmendi deklaroi se disa prej shkrimeve të publikuara ditëve të fundit në media janë të pavërteta dhe përbëjnë shpifje. Ai shprehu kritika të drejtpërdrejta ndaj portalit “Paparaci” dhe gazetarit Kajtazi, për të cilin tha se ka bërë raportime të rreme dhe tendencioze.

“Na vjen keq që një portal i njohur si ‘Paparaci’ vazhdon të publikojë të pavërteta. Të dhënat e raportuara janë plotësisht të rreme. Kajtazi më ka kontaktuar për përfitime dhe, pasi i kam refuzuar, ka dërguar edhe SMS me përmbajtje shantazhuese, për të cilat ka qenë në dijeni edhe ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi”, tha Kelmendi.

Përballë këtyre akuzave, Kajtazi ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, ku i ka kërkuar Kelmendit të përballet me të në një debat televiziv, në një studio që ai vetë do ta zgjedhë.

Në lidhje me pretendimin për shantazh, Kajtazi u shpreh se Kelmendi ka pasur mundësinë ta arrestojë nëse akuzat do të ishin të vërteta, si më parë ashtu edhe tani. Ai e quajti Kelmendin një figurë të mbetur nga regjimi i Millosheviqit.

“Besim Kelmendi është një jurist nga koha e Danica Marinkoviçit, gjyqtare serbe që kishte dënuar me burg figura të njohura të luftës. Ai ka qenë prokuror në kohën kur pretendohet për shantazh, dhe është kryeprokuror sot. Ka pasur dhe ka mundësi të më arrestojë – unë këtu jam. E di që është e vështirë të përballesh me mbetjet e regjimit të Millosheviqit. Në ballë më keni”, shkroi Kajtazi në Facebook.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *