Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka zhvilluar replika me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohej për buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij, Gruda deklaroi se mbajtja e kësaj seance është jokushtetuese.
“Kam ardhur këtu për të përfaqësuar mendimin e PDK-së dhe për të treguar pse kjo seancë është jokushtetuese. Në asnjë vend nuk mund të mbahet seancë pa zgjedhur Qeverinë. Nuk lejohet që një Kuvend të mblidhet për të trajtuar tema të tjera përveç zgjedhjes së Qeverisë. Si mund të formohen komisionet parlamentare kur ende nuk dihet kush është pozita e kush opozita? Kjo nuk është e mundur”, theksoi Gruda.
Gjatë fjalimit të tij, ndërhyri deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri, i cili nga vendi i tij i uljes i tha: “O burrë, a ke ardhur me bë hajgare a?”
Gruda reagoi duke theksuar se të drejtën për të mbajtur fjalim e ushtron në mënyrën që e sheh të arsyeshme.