Përplasje në Këshillin Prokurorial pas propozimit për shkarkimin e Besim Kelmendit

Propozimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, shkaktoi përplasje sot në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës mes Kelmendit dhe zëvendëskryesueses Jehona Grantolli.

Kelmendi deklaroi se propozimi i Grantollit ishte shkruar nga dikush tjetër dhe e akuzoi atë për konflikt të pastër interesi ndaj tij. Ai tha: ‘Keni konflikt të pastër interesi te unë, dhe për këtë e ngrit këtë çështje. E dini saktë për çdo gjë që keni ardhur në zyrën time dhe çfarë keni kërkuar. Keni bërë kërkesë për Shqipdon Fazliun dhe unë e kam refuzuar.’

Grantolli reagoi duke kërkuar që të përmbahej nga deklaratat personale. Ajo u shpreh: ‘Nivel i ultë diskutimi. Përmbahuni nga deklaratat personale ku cenohet integriteti im.’

Kelmendi tha se do të flasë dhe se opinioni do të njoftohet për të gjitha çështjet. Ai theksoi se dje dha dëshmi si dëshmitar dhe e përshkroi situatën si një lojë të një grupi, të cilin sipas tij përfaqëson zëvendëskryesuesja. ‘Opinioni duhet ta dijë se ky është plan sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes ta kenë, i cili dje gjatë seancës dëgjimore ku jam dëgjuar si dëshmitarë ka qenë dy herë për të parë mirë a jam unë ai që po flas’, tha Kelmendi.

Ai shtoi se kjo është një plan i një grupi për interes të një individi dhe se kurrë nuk ka aplikuar për pozitën e kryeprokurorit. ‘Kurrë s’jam ndjerë më keq se në këto ditët e fundit kur është bërë plani me shkarku mua. Kurrë ma lehtë se kam pasur të jap dorëheqje, por kur i kam parë këto plane kam vendosur që deri në fund të mbes stoik në qëndrimet e mia dhe ta ruaj KPK-në’, deklaroi Kelmendi, ndërsa i kërkoi anëtarëve të tregojnë emrin e personit që duan ta emërojnë në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *