Në Blinajë është përuruar Qendra për Ndërtimin e Kapaciteteve për Pylltari, në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në zonat rurale dhe për të adresuar ndryshimet klimatike në Kosovë”.
Gjatë ceremonisë, u bë dorëzimi i tetë automjeteve të terrenit dhe pajisjeve për menaxhimin e zjarreve pyjore, të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe pajisje të tjera shtesë — njësi GPS dhe kamera kurth — të financuara nga Ambasada e Suedisë për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës (APK).
Qëllimi i këtij donacioni është të forcojë kapacitetet e APK-së për monitorimin më efikas të resurseve pyjore dhe për parandalimin e veprimtarive të paligjshme në këtë sektor.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lazar Raduloviç, theksoi se 45 për qind e territorit të Kosovës është i mbuluar me pyje dhe vlerësoi kontribuesit ndërkombëtarë për ndihmën e dhënë në përmirësimin e sektorit pyjor.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe Hubert Perr, shef i bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili u shpreh i kënaqur për mbështetjen ndaj institucioneve kosovare përmes dorëzimit të mjeteve dhe automjeteve që ndihmojnë në menaxhimin e pyjeve.
Henrik Riby, shef i bashkëpunimit për zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, theksoi rëndësinë strategjike të pyjeve dhe nevojën për bashkëpunim institucional. Ai bëri të ditur se BE-ja dhe Suedia kanë investuar së paku 2.5 milionë euro në programin e FAO-s për përmirësimin e kapaciteteve në fushën e pylltarisë.
Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Pyjeve në APK, Menderes Ibra, falënderoi donatorët për përkrahjen dhe nënvizoi se pajisjet e reja dhe qendra në Blinajë do të ndihmojnë në rritjen e efektivitetit operativ të zyrtarëve pyjorë.
Naser Krasniqi, udhëheqës i ekipit vendor të programit të pylltarisë nga FAO, tha se pajisjet e dorëzuara janë të dedikuara për detyrat ditore të personelit të APK-së dhe ndihmojnë drejtpërdrejt në luftimin e veprimtarive të paligjshme në pyje.