Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara vendosi që një pilot jashtë detyre, i cili u përpoq të fikte motorët e një avioni gjatë fluturimit, nuk do të qëndrojë më gjatë në burg.
Joseph Emerson, ish-pilot i Alaska Airlines, u dënua me kohën tashmë të vuajtur në paraburgim dhe tre vjet lirim me kusht nga gjykatësja Amy Baggio në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së në Portland, Oregon.
Ngjarja ndodhi në tetor 2023, kur Emerson, duke udhëtuar jashtë detyre në kabinën e pilotit të një fluturimi të Horizon Air nga Everett, Washington drejt San Franciscos, u përpoq të çaktivizonte motorët. Ai synoi të tërhiqte dy doreza të kuqe në kabinën e kontrollit, të cilat aktivizojnë sistemin e shuarjes së zjarrit dhe ndalin furnizimin me karburant.
Ekuipazhi e ndaloi në kohë dhe aeroplani, me më shumë se 80 persona në bord, u devijua dhe u ul në Portland.
Emerson i tha policisë se ishte tronditur nga vdekja e një miku dhe se kishte konsumuar kërpudha psikedelike dy ditë para incidentit. Ai shtoi se nuk kishte fjetur për më shumë se 40 orë dhe ishte në gjendje të turbullt, duke menduar se ishte në ëndërr kur ndërmori veprimin.
Pas 46 ditësh në burg, ai u lirua në dhjetor 2023 me kushte që përfshinin trajtim për shëndetin mendor, qëndrim larg drogës dhe alkoolit si dhe ndalim të fluturimit.
Avokati i tij, Ethan Levi, tha se Emerson iu nënshtrua trajtimit për çrregullimin nga përdorimi i alkoolit dhe që atëherë ka qenë i kthjellët.
“Pilotët nuk janë perfektë. Ata janë njerëz dhe kanë nevojë për ndihmë ndonjëherë”, tha gjykatësja gjatë shpalljes së vendimit.
Gjatë seancës, Emerson deklaroi: “Nuk jam viktimë. Jam këtu si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të mia. Kjo ngjarje tragjike më ka detyruar të rritem si individ.”