Pireva: Gjimshiti, Shehu dhe Asllani bartësit e Shqipërisë në kualifikueset për Botërorin 2026

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, gazetarët e Telegrafit analizojnë rezultatet e Kosovës dhe Shqipërisë në ciklin kualifikues për Botërorin 2026. Episodi realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.

Gazetari Lavdim Pireva identifikon tre lojtarë që, sipas tij, kanë bartur barrën kryesore te Shqipëria në këtë cikël: Berat Gjimshiti, Juljan Shehu dhe Kristjan Asllani.

Pireva thekson rolin e Gjimshitit: “Besoj që Berat Gjimshiti mbetet lojtari më i mirë i kombëtares. Lider i pakontestueshëm, mbrojtës modern, shumë i mirë. Po them edhe për Juljan Shehun për mënyrën se si i ka zhvilluar, sidomos dy ndeshjet me Serbinë; ka qenë i jashtëzakonshëm, si në rikuperim të topit, ashtu edhe në shpërndarje të topit.”

Për Kristjan Asllanin, Pireva vëren pjekurinë e fituar: “Edhe Asllani e ka fituar pjekurinë, e konsideroj si një bonus. Ndoshta Interi ishte shumë barrë për moshën që ka, por tani te Torino po gjen vazhdimësi.”

Ai shton: “Është hap i madh sepse është shumë i ri. Në Torino luan rregullisht, edhe pse në javët e fundit mund të mos ketë pasur shumë minuta, por luan në çdo ndeshje. Kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar në moshën e tij. Shoh edhe ndryshimin te Torino: për dallim nga vitet e kaluara, kur ndeshjet përfundonin 0-0 ose 1-0, këtë vit po luajnë futboll më të hapur.”

Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *