Polemika për blerjen e autobusëve në Prishtinë: Sejdiu akuzon qeverinë, Hoti kundërpërgjigjet

Ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, reagoi lidhur me blerjen e 51 autobusëve për NP “Trafiku Urban” në vitin 2017, duke akuzuar Qeverinë e asaj kohe për bllokimin e projektit. Sipas tij, pas dy vitesh bllokim dhe presion të qytetarëve, Prishtina mori 51 autobusët e rinj, pas 30 vjetësh pa investime në transport publik.

Sejdiu tha se udhëhoqi transformimin si nënkryetar i komunës dhe se qytetarët luajtën rol kyç në tejkalimin e bllokadës politike. Ai shkroi: “Erdhën vetëm sepse qytetarët nuk pranuan të nënshtrohen. Çdo procedurë u zvarrit me qëllim; ishte bllokadë politike e pastër me një synim të vetëm, nënshtrimin e qytetit që kishte votuar ndryshe. Vetëm kur qytetarët protestuan dhe firmosën peticione, qeveria u detyrua të tërhiqej.” Sejdiu paralajmëroi se situata aktuale për transportin publik në Prishtinë është një përsëritje e skenarit të njëjtë, por me “cinizëm edhe më të madh”, dhe akuzoi qeverinë aktuale se po përdor krizën e transportit si mjet presioni politik, duke kërcënuar rendin ligjor dhe kushtetues.

Pas këtij postimi reagoi deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili e kundërshtoi Sejdiun. Hoti shkroi: “Sejdiu po gënjen. Ai dhe shefi i tij nuk kryenin detyrimin ligjor përmes nxjerrjes së vendimit nga Kuvendi i Komunës, që do të garantonte pagesën e kredisë nëse NP Trafiku Urban dështon të paguajë kredinë. Sapo vendimi u miratua në Kuvend, marrëveshja u procedua në Qeveri dhe më tutje.”

Hoti tha se qëllimi i Sejdiut dhe i partisë së tij ishte të krijonin një kauzë politike për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë, duke vijuar me “politika të ulëta dhe të ndyra kundër LDK-së”. Ai paralajmëroi se, nëse Sejdiu nuk kërkon falje publike, do ta padisë për shpifje.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *