Policia Kufitare kap tre emigrantë të paligjshëm nga Sudani në segmentin Dardhë–Boboshticë

Tre emigrantë të paligjshëm nga Sudani, të cilët kishin hyrë në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër, u kapën nga Policia Kufitare teksa po lëviznin në segmentin rrugor Dardhë–Boboshticë.

Sipas të dhënave zyrtare, ata kishin depërtuar në territorin shqiptar nga kufiri tokësor me Greqinë me synimin për t’u larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Për shkak të udhëtimit në terren të vështirë dhe kushteve atmosferike jo të favorshme, emigrantët i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore; sipas burimeve, gjendja e tyre shëndetësore është pa probleme. Të tre janë dërguar në qendrën pritëse të emigrantëve në Kapshticë, ku pas intervistimit do të ndiqen procedurat e mëtejshme ligjore.

Qarku juglindor i vendit, për shkak të pozicionit pranë kufirit me Greqinë, vazhdon të jetë një nga pikat kryesore të hyrjes së emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri. Vetëm dy javë më parë, 8 emigrantë nga Sudani u gjetën të fshehur në një kamion në PKK Kapshticë, ndërsa drejtuesi i kamionit, një shtetas malazez, është proceduar penalisht.

Më herët, një 21-vjeçar sudanez u arrestua pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas të kalonin në Malin e Zi kundrejt pagesës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *