Policia ndalon raftingun në kushte ekstreme; shoqëron tre persona që u futën në lumin Osum

Policia e Shtetit ka shoqëruar tre persona në Komisariatin e Policisë Berat, pasi rrezikuan jetën duke u futur në lumin Osum.

Për shkak të motit të keq, Policia është në gatishmëri të plotë dhe ka shtuar prezencën në të gjithë vendin, me qëllim ndihmën ndaj banorëve në zonat e përfshira nga përmbytjet, ndihmën për përdoruesit e rrugës dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të personave që, në kushte ekstreme dhe kur lumenjtë kanë prurje të mëdha, ushtrojnë aktivitete rafting. Është urdhëruar gjithashtu sekuestrimi i mjeteve të lundrimit.

Policia apelon që të gjithë përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, pasi si pasojë e reshjeve në disa akse ka prezencë uji dhe rënie inertesh.

Strukturat policore po punojnë në terren dhe bashkëpunojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin e segmenteve të prekura.

Në rast nevoje në rrugë kontaktoni numrin e emergjencës 112.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *