Policia në gatishmëri pas përkeqësimit të motit; evakuime në Berat dhe kërkime në Devoll

Policia e Shtetit ka rritur masat e gatishmërisë për shkak të përkeqësimit të situatës atmosferike që ka prekur disa zona të vendit. Shërbimet vendore, patrullat e përgjithshme dhe forcat “Shqiponja” kanë ndërhyrë për të ndihmuar banorët, ndërsa në zonat më të prekura janë angazhuar edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forca.

Në qarkun e Beratit, Komisariati i Policisë Berat, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Bashkisë Dimal, evakuuan pesë persona nga fshatrat Çiflik dhe Arrëz. Mes të evakuuarve ishte edhe një 100-vjeçare nga Çifliku, e nxjerrë në kohë të sigurt nga zona e rrezikut.

Në Devoll, reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në fshatin Progër. Policia e Devollit asistoi banorët e prekur dhe prej mëngjesit po zhvillon kërkime për një 75-vjeçare me probleme të shëndetit mendor, e cila rezulton e zhdukur nga banesa dhe dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.

Policia Rrugore ka shtuar prezencën në të gjitha akset kombëtare për të parandaluar aksidentet dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve në rast nevoje. Specialistët në terren mbajnë kontakte të vazhdueshme me kryetarët e fshatrave dhe administratorët lokalë për të garantuar ndërhyrje të shpejtë, ndërsa Sallat Operative janë përforcuar për t’u përgjigjur në kohë reale telefonatave të qytetarëve.

Policia e Shtetit njofton se mbetet në gatishmëri të plotë dhe po koordinon veprimet me Emergjencat Civile. Qytetarët që kanë nevojë për ndihmë mund të kontaktojnë në numrin falas 112.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *