Dy shtetas ukrainas, që dyshohet se kanë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës, janë identifikuar si përgjegjës për dy akte sabotimi në rrjetin hekurudhor të Polonisë. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri polak, Donald Tusk.
Në një fjalim para Parlamentit, Tusk tha se njëri nga të dyshuarit është dënuar në mungesë për veprime të ngjashme në Ukrainën Perëndimore.
Të hënën, kryeministri vizitoi vendin e shpërthimit në afërsi të Mika-s, në juglindje të Varshavës. Incidenti shkaktoi dëmtime në linjën hekurudhore që çon drejt kufirit me Ukrainën, të cilën Tusk e cilësoi si “akt të paprecedentë sabotimi”.
Një tjetër incident u regjistrua pranë Pulaw-it, ku një tren pasagjerësh u ndal papritur dhe u raportuan dëmtime në kabllo.
Autoritetet polake kanë deklaruar se ka dyshime serioze se këto akte sabotimi janë orkestruar nga shërbime të huaja të inteligjencës. Zëdhënësi i Ministrit për Shërbime Speciale ka theksuar se të gjitha të dhënat tregojnë drejt përfshirjes së shërbimeve ruse të inteligjencës.