Gjenerali më i lartë i Forcave të Armatosura të Polonisë, Wieslaw Kukula, ka paralajmëruar se Rusia është duke u përgatitur për një konflikt të mundshëm me NATO-n. Deklarata vjen pas një shpërthimi në një linjë hekurudhore që lidh Varshavën me kufirin ukrainas, të cilin autoritetet polake e konsiderojnë si një akt sabotimi të paprecedentë.
Gjenerali Kukula tha se Rusia ka nisur një ‘periudhë përgatitore për luftë’ dhe se po krijon një mjedis në Poloni që synon të minojë besimin te qeveria dhe institucionet shtetërore, si ushtria dhe policia. Ai e përshkroi situatën si një formë të ‘luftës hibride’.
Një sulm i tillë ndaj Polonisë do të aktivizonte Nenin 5 të NATO-s, duke detyruar një përgjigje kolektive nga aleanca ushtarake.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, paralajmëroi në Uashington se Rusia mund të përforcojë praninë ushtarake në kufijtë me shtetet baltike brenda dy deri në tre vjetëve. Ai shtoi se qëllimi i Kremlinit është të pushtojë Ukrainën, të dominojë vendet fqinje, të ndajë Perëndimin dhe të largojë SHBA-në nga Evropa.
Shpërthimi në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin ndodhi pranë fshatit Mika, rreth 100 kilometra në juglindje të kryeqytetit polak. Një makinist treni sinjalizoi për dëmtime në hekurudhë të dielën në mëngjes, gjë që çoi në nisjen e një hetimi. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse shpërthimi ka ndodhur të shtunën vonë apo të dielën herët.
Në momentin e incidentit, në tren ndodheshin dy pasagjerë dhe disa anëtarë të stafit, por nuk pati të lënduar.
Po ashtu, një tren tjetër që udhëtonte në linjën Swinoujscie–Rzeszow u dëmtua të dielën në mbrëmje, rreth 50 kilometra nga qyteti i Lublinit, pasi kabllot elektrike që furnizonin me energji trenin u dëmtuan. Në bord ndodheshin 475 pasagjerë dhe, sipas ministrit të Brendshëm të Polonisë, Marcin Kierwinski, askush nuk u lëndua. Incidenti është aktualisht nën hetim.
Kryeministri Donald Tusk premtoi se autorët e sabotimeve do të kapen, pavarësisht nga mbështetësit e tyre të mundshëm.