Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul. Pas takimit, të dy mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Osmani theksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një aleate tradicionale e Kosovës.
“Ka qëndruar me ne në momentet më të vështira të Kosovës. Populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si mikun më të afërt dhe aleatin më të besueshëm. Qindra mijëra shtetas të Kosovës jetojnë në Gjermani dhe jemi krenarë për integrimin e tyre shembullor. Ne e vlerësojmë miqësinë me Gjermaninë dhe jemi të gatshëm të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme”, deklaroi Osmani.
Ministri gjerman, Johann Wadephul, u shpreh se është pozitive që Kosova është në anën e tyre, duke theksuar rëndësinë e një Evrope të bashkuar ndaj sfidave të jashtme.
“Është mirë që Kosova është në anën tonë. Ne, qofshim në BE apo jo, duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë se destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Përpjekjeve për destabilizim iu përgjigjemi me një Evropë të bashkuar”, tha ai.
Wadephul shtoi se zhvillimi i Kosovës është një dëshmi e suksesit dhe shprehu shpresën që sa më shpejt të formohet një qeveri e re.