Pas dështimit për formimin e Qeverisë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ftuar për sot partitë parlamentare në një takim konsultativ. Takimi është planifikuar të mbahet në orën 10:30 dhe temë diskutimi do të jetë caktimi i datës për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Të gjitha partitë politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën Socialdemokrate, kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka bërë të ditur për Telegrafin se në takim do të marrë pjesë kryetari Ramush Haradinaj. Po ashtu, në takim pritet të jenë edhe Lumir Abdixhiku nga LDK, Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.
Nga LVV dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk është konfirmuar zyrtarisht kush do të marrë pjesë, megjithatë burime të Telegrafit bëjnë të ditur se të dy partitë kanë pranuar ftesën.
Thirrja e këtij takimi vjen pas dështimit të Glauk Konjufcës, i mandatuar nga LVV për postin e kryeministrit, për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend. Ky ishte tentimi i dytë i Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatit të parë të Albin Kurtit më 26 tetor.