Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë parlamentare në një takim konsultativ, pas dështimit të formimit të qeverisë. Në këtë takim do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Sipas burimeve të Telegrafit, takimi është parashikuar të mbahet nesër në orën 10:30.
Në ftesën dërguar partive thuhet: “Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.”
Ky zhvillim pason pas seancës së sotme të Kuvendit, ku i mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk mori votat e nevojshme për të qenë kryeministër.
Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor.
Sipas Kushtetutës, nëse as mandati i dytë dështon për formimin e qeverisë, presidentja duhet të shpallë zgjedhjet të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.
Kosova ndodhet në një situatë krize që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ku Vetëvendosje arriti të fitojë shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të krijuar shumicën qeverisëse. Kuvendi u vonua të konstituohej për rreth gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ndërsa procesi u sfidua disa herë në Gjykatën Kushtetuese.