Prindërit e viktimave të tragjedisë së Koçanit shprehin mosbesim ndaj procesit gjyqësor

Disa nga prindërit e fëmijëve që humbën jetën në tragjedinë e Koçanit kanë shprehur frikë dhe mosbesim se drejtësia do të vihet në vend. Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur sot, babai i të ndjerit Andrej Stojanov tha se ndihen të manipuluar dhe të zhgënjyer nga mënyra si po zhvillohet procesi.

“Që në fillim të seancës gjyqësore, po përballemi me skepticizëm të madh dhe me një plan të përpunuar nga përfaqësuesit e të pandehurve dhe avokatëve të tyre, të cilët manipulojnë në mënyra të ndryshme për të thelluar dhimbjen tonë. Ne jemi kthyer në figura të padukshme dhe, meqenëse fëmijët tanë nuk janë më, duket sikur edhe ne duhet të zhdukemi, që të mos ketë kush t’u shkojë në varr”, deklaroi ai.

Ai u shpreh i irrituar me qasjen e avokatëve të të pandehurve: “Jam i habitur nga vetëdija dhe qëndrimi i tyre. Ata do të marrin para gjaku dhe me krenari deklarojnë që gjyqi do të zgjasë 15-20 vjet. Për ne, 15 ditë apo 15 muaj janë shumë. Kanë kaluar tashmë 18 muaj.”

Stojanov shfaqi shqetësimin se ky rast mund të përfundojë njësoj si rastet e tjera të rënda në vend, ku drejtësia nuk ka dhënë rezultatet e pritura: “Tani ne prindërit ndihemi të manipuluar dhe kemi frikë se do të ndiqet e njëjta rrugë si në rastin e Llaskarcës, tragjedisë së autobusit në Bullgari apo të spitalit modular. Kur kemi pasur takime me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, na është thënë se rasti i Koçanit është kulmi i krimeve dhe duhet bërë një prerje, sepse nëse nuk ndërhyhet, atëherë s’ka kuptim ekzistenca jonë si shtet.”

Ai shtoi se kjo çështje përbën një nga testet më të rëndësishme për funksionimin e shtetit dhe sundimin e ligjit.

Gjyqi për tragjedinë e Koçanit nisi sot në sallën e gjyqit në Idrizovë. Nga kjo tragjedi humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *