Prishtina kërkon alokim të parakohshëm të 1/12 të buxhetit të dhjetorit

Komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar për alokim të parakohshëm të 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor, njoftoi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një postim në Facebook.

Sipas Muratit, qëllimi është që shpenzimet që duhej të realizoheshin në dhjetor të kryhen më herët, në nëntor, për të paguar disa fatura të grumbulluara, përfshirë edhe ato të energjisë elektrike.

Ai vlerëson se kjo masë nuk e zgjidh problemin, por e vonon atë, pasi dhjetori mbetet pa buxhet. Megjithatë, Thesari do të bëjë këtë alokim të parakohshëm në mënyrë që një pjesë e faturave të paguhet tashmë.

Murati shtoi se zgjidhja reale do të ishte nëse të mërkurën LDK-ja do ta kishte votuar të paktën buxhetin e Prishtinës. Sipas tij, Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja nuk morën pjesë në seancën e djeshme dhe, siç tha, tentuan t’i atribuonin fajin Ministrisë së Financave për një buxhet që vetë nuk e votuan.

Burimi: Telegrafi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *