Prishtinë pa transport publik, Trafiku Urban dhe operatorët privatë në grevë për mos-pagesa

Qytetarët e Prishtinës mbetën pa transport publik këtë të hënë, pasi përfaqësuesit e Trafikut Urban dhe operatorët privatë hynë në grevë për shkak të mos-ekzekutimit të pagesave nga komuna. Përfaqësuesit bëjnë të ditur se ndaj tyre nuk janë kryer pagesa tash e gjashtë muaj, dhe si pasojë kompanitë janë futur në borxhe.

Përveç qendrës, ndikon edhe lidhja me zonat përreth; disa qytetarë thanë se nuk kanë mundësi të shkojnë në fshatin Kolovicë për shkak të mungesës së transportit. “Jam duke pritur të shkoj te një shok në Kolovicë, por nuk mundem sepse është larg dhe nuk ka transport”, tha Zafir Gashi, qytetar.

Operatorët thonë se situata ka rënduar dhe se kanë mbetur pa paga. “Qe 6 muaj kemi mbetë pa paga, jemi rënë borxh për naftë; kemi diku 170 mijë euro borxh për naftë. Si rrjedhojë, operatori i kompanisë së derivateve na i ka ndaluar derivatet e naftës”, deklaroi Naser Gashi, operator i linjës 7B.

Nga ana tjetër, disa operatorë fajin e atribuojnë komunës. “Jemi në borxhe sepse po na gënjejnë; nuk aprovuam buxhetin, pengesa është në komunë”, tha Milaim Halili, operator i linjës “24 Yjet”.

Përfaqësuesit e Trafikut Urban dhe kompanitë private njoftuan se nuk do të kthejnë mjetet në rrugë derisa kërkesat e tyre të merren parasysh dhe pagesat të ekzekutohen.

Burimi: TV Dukagjini.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *