Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së drejt përfundimit, dëshmitë e mbrojtjes vlerësohen të forta

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po i afrohet përfundimit pas një maratone dëshmish. Beteja ligjore midis prokurorisë dhe mbrojtjes po mbyllet, ndërsa institutet e drejtësisë në Kosovë vlerësojnë se dëshmitë e mbrojtjes kanë dhënë prova të rëndësishme për periudhën e luftës.

Një numër i kufizuar dëshmitarësh të mbrojtjes, me pozicione të larta ushtarake dhe diplomatike dhe që përfaqësojnë shtetin amerikan, kanë dhënë dëshmi me peshë. Fondi për të Drejtat Humanitare vlerëson se këto dëshmi konfirmojnë se UÇK-ja funksiononte si një ushtri vullnetare me një hierarki horizontale.

“Prezenca e tyre dhe kontaktet e dëshmitarëve direkt me presidentin Thaçi dhe aktorë të tjerë të UÇK-së, njohuritë e tyre dhe informacionet që këta dëshmitarë kanë ndarë me trupin gjykues, do të kenë një peshë të veçantë. Në fund, trupi gjykues do të vlerësojë të gjitha deklaratat, qoftë të prokurorisë, qoftë të mbrojtjes”, tha Amer Alija nga FDHK për RTK-në.

Procesi cilësohet si një përballje ligjore për çështjet e përgjegjësisë, si përgjegjësia komanduese ashtu edhe akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Njohës të çështjeve të drejtësisë thonë se dëshmitë e mbrojtjes kanë qenë të pamohueshme për natyrën vullnetare të UÇK-së dhe për rolin e udhëheqësve gjatë periudhës së akuzuar.

“Dëshmitarët e mbrojtjes kanë dhënë dëshmi të pamohueshme për faktin se UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare, krijuar nga populli dhe pa një hierarki të qartë. Secili prej tyre ka treguar për rolin e Hashim Thaçit gjatë periudhës së akuzës”, tha Blendina Veliqi nga IKD.

Ekspertët presin që aktgjykimi të shpallet në pranverë ose në fillim të verës. Faktorë vendimtarë do të jenë sjellja e dëshmitarëve dhe koherenca e rrëfimeve të tyre.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *