Prof. Avzi Mustafa paralajmëron se era dixhitale dhe rrjetet sociale kanë shtyrë gjuhën shqipe mbrapa dhe po rrezikojnë standardin e vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908.
Sipas tij, përdorimi i gjuhës angleze në përditshmëri dhe shkurtrimet në rrjetet sociale kanë krijuar turbullira, duke vënë në pikëpyetje kulturën e të folurit dhe të shkruarit në shqip. Mustafa thotë se forcat intelektuale shqiptare duhet të hartojnë strategji për mbrojtjen e gjuhës.
‘Rrjetet sociale bëjnë të vetën. Çdokush shkruan me gabime, me shkurtime. Nuk ka as kulturë të folurit, as të shkruarit. Unë nuk e di nëse do të kemi më gjuhë amtare, apo do të kemi gjuhë të para, të dyta apo të treta, sepse nipërit dhe mbesat flasin anglisht. Nuk kemi menduar si shqiptarë — qoftë Shqipëria apo Kosova — për të bërë një strategji se si ta mbrojmë këtë gjuhë të bukur që e kemi. Unë mendoj se shkolla do të mbetet faktori kryesor që do ta kultivojë gjuhën amtare’, tha albanologu Avzi Mustafa.
Ai kritikoi edhe institucionet, duke thënë se librat po botohen pa kritere dhe se mungojnë licencat për lektorë. Mustafa kërkon që Agjencia për Zbatimin e Gjuhës të propozojë një ligj për licencimin e lektorëve, në mënyrë që të dihet kush është lektor dhe të marrë përgjegjësi për gabimet. ‘Mjafton të marrësh një tekst për konkurs dhe do të shohësh se në dhjetë rreshta mund të jenë shumë gabime’, u shpreh ai.
Sipas Mustafës, në administratë dhe në gjyqësor janë pranuar persona joadekuat. Ai shton se duhet miratuar një ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe rritur vetëdijësimi për vlerësimin e saj.
Burim: rtvm2