Prokuroria prezanton komunikime, video dhe gërzhojë në gjyqin për vrasjen e Liridona Ademajt

Seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt vazhdon me administrimin e provave. Prokurorja Javorka Perlinçeviq prezantoi para trupit gjykues komunikimet dhe provat që lidhin të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ditët përpara ngjarjes tragjike.

Prokurorja tha se nga verifikimi i mesazheve dhe thirrjeve në WhatsApp rezulton se kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe Naim Murselit kanë nisur më 23.11.2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar ditët më pas, përfshirë datën e ngjarjes më 29.11.2023. Sipas prokurorisë, Naim Murseli i kishte dërguar Granit Plavës mesazhin: “shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë shtëpia për paradite”. Thirrja e fundit mes tyre përmes WhatsApp-it, më 29.11.2023 në 19:01, zgjati 28 sekonda.

Siç u tha në seancë, videomaterialet nga restoranti Etnokuqa në Graçanicë tregojnë se të dy ishin të pranishëm atë natë: Naimi me familjen e tij dhe Granit Plava në një tavolinë tjetër. Prokurorja deklaroi se Granit Plava ka paguar llogarinë, ka dalë i pari nga restoranti, është futur në veturë dhe ka pritur derisa Naimi me familjen të dilnin; më pas e ka ndjekur automjetin e tyre.

Kamerat e restorantit, sipas prokurorisë, kapin brendësinë dhe hapësirën e jashtme, duke përfshirë edhe parkimin, ku shihen vendet dhe automjetet e të pandehurve. Prokurorja njoftoi se prova të tjera video do të administrohen para trupit gjykues pas një pauze prej 10 minutash.

Në seancë u paraqit edhe provë fizike lidhur me ngjarjen: gjatë vrasjes është qëlluar me armë dhe është gjetur një gërzhojë. Prokurorja propozoi vazhdimin e administrimit të këtyre provave.

Po ashtu, u paraqitën të dhëna financiare për të pandehurin Naim Murseli. Sipas prokurorisë, borxhi i tij ishte 369,968.77 euro, ndërsa gjatë dëshmisë është bërë e ditur se kishte edhe borxhe ndaj personave fizikë në vlerë rreth 106,000 euro. Vlera e përgjithshme e borxhit, sipas analizës së marsit 2024, ishte 475,968.77 euro.

Prokurorja theksoi edhe përgjigjen nga autoritetet suedeze lidhur me sigurimin e jetës së të ndjerës Liridona Murseli. Nga Suedia është konfirmuar se më 25 qershor 2022 ishte nënshkruar një police sigurimi jetësor në vlerë 3 milionë korona suedeze. Në përgjigje nuk është dhënë informatë për përfituesit pas vdekjes; sipas ligjit suedez, nëse nuk ka vartës, përfitues do të ishte bashkëshorti.

/KP/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *