Prokuroria Speciale ngre dy aktakuza për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy aktakuza në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj tre personave për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Në aktakuzën e parë, i pandehuri I.U. akuzohet se nga viti 2021 deri më 23 tetor 2024, përmes rrjetit social Facebook, ka shpërndarë materiale me përmbajtje nacionaliste. Gjatë një kontrolli policor të zhvilluar më 23 tetor 2024 në veturën e tij, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar katër çanta me materiale të ndryshme, përfshirë fanella dhe 148 kartëvizita me përmbajtje nxitëse dhe përçarese, të cilat mund të shkaktonin prishje të rendit publik.

Në rastin e dytë, të pandehurit K.B. dhe M.J. akuzohen se në vitin 2020, përmes Facebook-ut, kanë publikuar një video të realizuar në parkun e qytetit në Gjakovë, me përmbajtje nxitëse dhe me qëllim të nxitjes së përçarjes ndërmjet grupeve kombëtare dhe etnike.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjet në fuqi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *