Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka njoftuar se greva e përgjithshme në Radio Televizionin e Kosovës do të nisë të hënën, si reagim ndaj mosshpërndarjes së pagave dhe mosangazhimit të institucioneve për zgjidhjen e krizës financiare në transmetuesin publik.
Në një komunikatë për media, SPERTK ka kërkuar nga menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së që të marrë vendim për ndërprerjen e mbulimit të të gjitha ngjarjeve politike në Kosovë, deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve.
“Si shenjë proteste, kërkojmë që çdo ditë në ekranin e RTK-së të shfaqet njoftimi ‘Punëtorët e RTK-së pa paga’, derisa të zgjidhet situata,” thuhet në njoftim. Sindikata paralajmëron gjithashtu se së shpejti do të organizohen protesta në shesh, para ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Sipas SPERTK-së, për krizën aktuale financiare përgjegjës janë të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës. “Nuk e kuptojmë se si, në një situatë të tillë, institucionet vazhdojnë të veprojnë sikur gjithçka është normale, duke injoruar jetesën e 700 familjeve që varen nga puna në RTK. Kjo përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe mund të sjellë pasoja ligjore,” thuhet tutje.
Sindikata i ka bërë thirrje Kryeministrit Albin Kurti dhe të gjitha partive politike që të ndërmarrin masa të menjëhershme për ndarjen e buxhetit të RTK-së, në përputhje me ligjin, duke theksuar se RTK është institucion publik dhe nuk duhet të lihet në krizë financiare.
SPERTK bën të ditur se nuk do të tolerohen më vonesat dhe paralajmëron ashpërsim të masave sindikale, derisa të realizohen kërkesat e punëtorëve.
“Me këtë letër, njoftojmë institucionet kompetente se shpallim zyrtarisht grevën në gjithë RTK-në nga e hëna e javës së ardhshme,” përfundon njoftimi.