Punonjësit e Postës në Tetovë protestojnë për vonesat e rrogave

Punonjësit e Postës së Tetovës dolën sot në protestë, të revoltuar për shkak të vonesave të rrogave. Për gati një vit, pagat shpesh paguhen pas datës 20, çka u sjell mungesë sigurimi shëndetësor dhe vështirësi për të paguar faturat dhe këstet e kredisë.

Daut Ramadani, përfaqësues i sindikatës, deklaroi se në Tetovë punojnë 120 veta, ndërsa në gjithë shtetin rreth 1,700 punonjës. “Do konsultohemi dhe do të vazhdojmë deri sa të marrim rrogat, se u bë gati një vit që rrogat vazhdimisht vonohen, ndërsa më parë i merrnim prej 1 deri më 5 të muajit”, tha Ramadani.

Një prej punonjësve theksoi nevojat e familjeve: “Dikush ka banesë, dikush duhet të paguajë këste, po rrisim fëmijë, ka shkollë”, duke shtuar se këto arsye janë pjesë e problemeve që sollën protestën.

Muhamet Zulbeari, drejtori i njësisë rajonale në Tetovë, shprehu mbështetje për punonjësit. Ai tha se ata punojnë me përkushtim dhe në kushte të vështira, dhe shprehu shpresën se protesta do të sjellë rezultate për sigurimin e rrogave dhe përmirësimin e kushteve të punës: “Këta punëtorë kanë përkrahjen time të pakushtëzuar në drejtim të sigurimit të rrogave”, u shpreh Zulbeari.

Sipas punonjësve, nëse gjendja nuk përmirësohet, protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. (Burimi: TV21)

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *