KF Prishtina e Re ka zyrtarizuar emërimin e Qëndrim Kidës si kryetrajner të ekipit të parë, pas një sezoni të vështirë dhe rezultateve nën pritshmëri.
Stinori nisi me Elon Berishën si trajner, ndërsa më pas drejtimin e mori Shpëtim Babaj, por skuadra nuk arriti të dilte nga zona e rrezikut. Prishtina e Re renditet aktualisht e fundit në tabelë me vetëm 11 pikë, çka shtoi urgjencën për ndryshime në bankinën teknike, sidomos pas dorëheqjes së Babajt.
Në njoftimin zyrtar, klubi shpreh besimin në punën dhe filozofinë e trajnerit të ri:
“Ky vendim vjen si pjesë e strategjisë sonë të re për konsolidimin e ekipit, rritjen e stabilitetit dhe riformësimin e mentalitetit fitues brenda skuadrës. Klubi beson fuqimisht se me emërimin e Qëndrim Kidës si kryetrajner fillon një faqe të re të rëndësishme drejt stabilizimit dhe progresit.”
“Jemi të bindur se me punë, disiplinë dhe bashkëpunim, ekipi do të rikthehet atje ku e meriton. Klubi i uron trajnerit Kida mirëseardhje dhe shumë suksese në detyrën e re.”
Qëndrim Kida më parë ka udhëhequr Malishevën, ku e zuri vendin e tretë, si dhe Suharekën.
Telegrafi.