Qeveria: 33,682 kuponë për pajisje elektronike, 11,500 të realizuara

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, njoftoi sot në një konferencë për shtyp se janë dhënë gjithsej 33,682 kuponë për studentë, me vlerë 15,300 denarë secili.

Sipas Mitevës, nga këto kupona 11,500 studentë tashmë i kanë realizuar dhe kanë marrë pajisje të reja elektronike. Ajo theksoi se masa po zbatohet në përputhje me dinamikat e planifikuara dhe se interesimi është i madh.

Miteva shpjegoi se iniciativa është planifikuar dhe koordinuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Dixhital dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ky koordinim, sipas saj, ka mundësuar organizim të shpejtë të procedurave, përcaktim të kritereve të qarta për studentët, një sistem të harmonizuar teknik për dhënien dhe realizimin e kuponave, si dhe transparencë të lartë të procesit.

Ajo shtoi se qeveria e sheh si përparësi investimin në njohuri, teknologji dhe rini, duke synuar zvogëlimin e pabarazisë dixhitale dhe nxitjen e transformimit dixhital. Miteva njoftoi se do të vazhdohet monitorimi i shitësve të autorizuar, do të ofrohet mbështetje e vazhdueshme për studentët dhe do të përgatiten politika të reja për dixhitalizimin dhe modernizimin e arsimit.

Në përfundim, Miteva vlerësoi se masa po jep rezultate të prekshme, zbatimi po funksionon mirë dhe pritet që të gjithë studentët ta shfrytëzojnë atë në mënyrë maksimale.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *