Zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp se kthimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar po realizohet brenda afateve.
Edhe pse ka raportime për vonesa në pagesat ndaj qytetarëve nga skanimi i kuponëve fiskalë, sipas qeverisë procesi po zhvillohet rregullisht.
Miteva tha se mund të ketë raste të veçanta ose vonesa të përkohshme, por se ato po tejkalohen brenda afateve. Ajo shtoi se do të verifikojë me Ministrinë e Financave dhe me Drejtorinë e të Ardhurave Publike për të parë nëse ka ndonjë situatë specifike, dhe sipas informatave që ka, kthimi i TVSH-së po vazhdon pa pengesa.
Kujtojmë se dje Ministria e Financave deklaroi se kthimi i TVSH-së për qytetarët do të bëhet deri në fund të muajit nëntor.