Rama i drejton letër Kurtit: Bllokada e buxhetit po rrezikon shërbimet publike në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar me një letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar veprime urgjente për zgjidhjen e bllokadës buxhetore që, sipas tij, po rrezikon funksionimin e shërbimeve publike në kryeqytet.

Në letrën e tij, Rama thekson se mungesa e përgjigjes dhe veprimeve konkrete nga Ministria e Financave, pavarësisht kërkesave të shumta të paraqitura, ka krijuar një situatë të rëndë për Komunën e Prishtinës.

“Kërkesat tona janë të qarta dhe të bazuara në ligj: alokimi i plotë i të hyrave vetanake dhe zbatimi i vlerave të miratuara për ndarjen buxhetore 2025”, është shprehur ai.

Rama ka theksuar se është e papranueshme që qytetarët të mbeten peng i dinamikave politike dhe ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional.

Kjo situatë vjen pas përplasjeve të fundit mes Ramës dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, të cilët kanë shkëmbyer akuza në rrjetet sociale për bllokimin e buxhetit të Prishtinës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *