Rama i përgjigjet Eric Schmidt: ‘Diella nuk është algokraci, por kujdestare publike’

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një editoriali të ish-drejtorit ekzekutiv të Google, Eric Schmidt, në The New York Times, ku Schmidt deklaronte se me nismën për një ministër të AI Shqipëria po shkonte drejt qeverisjes nga algoritmet.

Në editorial Schmidt shkruante: “Shqipëria është vendi i parë që ndërmerr një hap të vërtetë drejt ‘algokracisë’: qeverisjes me anë të algoritmit.”

Rama shprehu zhgënjimin e tij, duke theksuar respektin për udhëheqjen dhe idetë e Schmidt, por duke kundërshtuar përshkrimin e nismës shqiptare të quajtur Diella. Ai tha se Diella “nuk është as sunduese, as zëvendësuese e demokracisë, por kujdestare publike e konceptuar për ta bërë demokracinë të funksionojë më mirë dhe shërbimet publike më të shpejta, më të drejta dhe më transparente.”

Në reagim Rama vuri në dukje se për dekada Shqipëria, si shumë demokraci të reja, është përballur me korrupsion në prokurime publike, dhe se kur rregullat shkelen fajtorë janë njerëzit, jo algoritmet. Sipas tij, Diella është ndërtuar për të zbatuar ligjet dhe procedurat ekzistuese paanshmërisht dhe pa ndikim politik, me vlera si drejtësia, transparenca dhe efikasiteti të kodifikuara dhe të auditueshme.

Rama shtoi se me Diellën çdo vendim do të jetë i gjurmueshëm, i shpjegueshëm dhe i hapur për apelim. “Qëllimi i Shqipërisë nuk është t’ia dorëzojë pushtetin makinave, por të çlirojë njerëzit nga joefikasiteti dhe tundimi. Ne nuk po ndërtojmë një algokraci në Shqipëri. Ne po ndërtojmë një demokraci digjitale,” përfundon editoriali i Ramës në The New York Times.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *