Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila një ditë më parë tha se rreth 700 familje shqiptare, përfshirë fëmijë, të cilave u është refuzuar azili, nuk po largohen nga Britania.
Në një deklaratë në rrjetin social “X”, Rama e cilësoi zhgënjyese këtë deklaratë, duke thënë se nuk është e pranueshme që një zyrtare e lartë britanike të përdorë një numër të tillë për të justifikuar rifillimin e kthimeve të detyruara.
“Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Sekretaren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, të përmendë ‘rreth 700 familje shqiptare’ që jetojnë në strehim të financuar nga taksapaguesit pas kërkesave të dështuara për azil, si justifikim për rifillimin e kthimeve të familjeve”, shkroi Rama.
Ai shtoi se është e pazakontë që një përfaqësuese e Partisë Laburiste të përdorë një retorikë të tillë, që sipas tij, i ngjan diskursit të së djathtës ekstreme, duke veçuar shqiptarët në një moment kur dy vendet po bashkëpunojnë ngushtë kundër migracionit të paligjshëm.
“Si mundet një Sekretare e Brendshme e Partisë Laburiste të përsërisë retorikën e së djathtës ekstreme populiste dhe të veçojë 700 familje shqiptare, një pikë statistikore në detin e sfidave që ka Britania pas Brexit, pikërisht kur Britania dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për çështjet e migracionit të paligjshëm?”, shkroi më tej ai.
Rama theksoi se që nga fundi i vitit 2022, falë bashkëpunimit mes dy qeverive, mbërritjet e parregullta nga Shqipëria drejt Britanisë janë pothuajse zhdukur. Ai u shpreh gjithashtu se kufizimet në lëvizjen dhe politikat e vizave të trashëguara nga administrata e mëparshme britanike vijojnë të kenë ndikim negativ.
“Kufizimet e lëvizshmërisë dhe vizave nga ana e Mbretërisë së Bashkuar mbeten një trashëgimi e dështuar që dëmton lirinë themelore të lëvizjes dhe ekonominë britanike”, theksoi ai.
Kryeministri shqiptar përfundoi duke nënvizuar se shqiptarët janë kontribues neto në ekonominë britanike dhe se përfitimi i tyre nga skemat shtetërore është i ulët krahasuar me komunitetet e tjera.