Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe nga pozita e zëvendëskryeministres, vendim i marrë nga SPAK dhe i ekzekutuar nga Gjykata.
Gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, Rama deklaroi se qeveria mbështet plotësisht pavarësinë e drejtësisë, duke e quajtur këtë një “shkëputje historike nga e kaluara”. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të mbrojë pavarësinë e ekzekutivit, duke dërguar vendimin për pezullim në Gjykatën Kushtetuese.
Kreu i qeverisë e përshkroi vendimin si “rast unik në Evropë” dhe akuzoi trupat speciale të drejtësisë se kanë ndërhyrë në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.
Sipas Ramës, nuk ka ndodhur në vendet e rajonit apo të BE-së që një prokuror dhe një gjykatës i shkallës së parë të pezullojnë një anëtar të qeverisë që mban edhe detyrën e zëvendëskryeministrit.
Ai e konsideroi situatën si një shembull të “dobësive të natyrshme të një pushteti të ri” dhe të “reflekseve të vjetra antidemokratike”.
Pavarësisht kritikave, Rama tha se qeveria nuk do të futet në beteja politike me organet e drejtësisë dhe se vendimet e tyre do të respektohen.
“Vendimin e pezullimit do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të japë fjalën përfundimtare,” deklaroi ai.
Kryeministri konfirmoi se, deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qeveria mbetet pa zëvendëskryeministër dhe pa një ministër funksional të Infrastrukturës dhe Energjetikës. “Për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendëskryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë që funksionon,” tha ai.
Rama mbylli deklaratën duke ritheksuar se forcat politike nuk duhet të ndërhyjnë në pavarësinë e drejtësisë, por as drejtësia nuk duhet të cenojë funksionimin e qeverisë: “Mbrojtja e pavarësisë së re të sistemit të drejtësisë është prioriteti ynë absolut, por po aq prioritare është mbrojtja e pavarësisë së ekzekutivit.”