Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se për herë të parë në historinë e Kosovës Qeveria po bllokon të hyrat vetanake të kryeqytetit, duke rrezikuar funksionimin e shërbimeve jetike.
Sipas Ramës, transporti publik, furnizimi me ushqim në shkolla, shëndetësia dhe ndihma sociale janë në prag të ndërprerjes nga e hëna, pasi përfaqësuesit e transportit urban dhe të sektorit privat kanë konfirmuar se nuk do të ketë transport publik. Ai ka deklaruar se kjo situatë ka ndodhur për arsye politike.
Për këtë ka reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ahmeti ka kujtuar sfidat e mëparshme kur mori në dorëzim Trafikun Urban me 1.5 milion euro borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara.
Ai thotë se procesi për furnizimin me autobusë u zvarrit për shkak të pengesave nga qeveria e udhëhequr nga LDK, lidhur me votimin e garancionit të sovranitetit në Kuvend. “Edhe pse kishim siguruar një kredi prej 10 milion euro nga BERZH, procesi u vonua. Gjatë asaj kohe kam takuar vetëm Avdullah Hotin disa herë dhe kam kërkuar nga shefi i grupit parlamentar të VV që të votonte marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm që të mund të bliheshin autobusët. Politika është kompromis, posaçërisht kur është interesi qytetar në pyetje,” shkruan Ahmeti.
Ai paralajmëron se pas mungesës së transportit, ditëve në vijim shkollat mund të mbeten pa rrymë dhe çerdhet pa ushqim, dhe bën thirrje për dialog dhe takime mes palëve për zgjidhjen e çështjeve vitale për qytetarët. “Postet vijnë e shkojnë, zgjedhje do të ketë edhe të tjera, por të këqijat ju mbesin në ndërgjegje dhe në histori. Takonu!”, përfundon reagimi i tij.
Burimi: Telegrafi.