Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar pezullimin nga detyra i zv. kryeministres Belinda Balluku. Deklarata u bë në një konferencë për shtyp në Tiranë, ku ishte e pranishme edhe Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos.
Rama tha: “Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe, në ndërkohë, do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të qeverisë te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese. Këto jemi ne.”
Ai shtoi se mazhoranca socialiste do të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit, edhe kur ajo, sipas tij, shfaqet arbitrare. “Pavarësia e gjyqësorit nuk është as slogan, as manovër politike dhe as eksperiment i përkohshëm,” tha Rama, duke theksuar se kjo pavarësi ka sjellë zhvillime pozitive dhe ka vënë një prajë ndaj kulturës së pandëshkueshmërisë së së kaluarës, por po ashtu ka nxjerrë në dritë dobësi të reja.
Kryeministri e përshkroi pezullimin si një shfaqje të këtyre dobësive dhe si një rast të pazakontë: “Ky është një rast unik në historinë e Europës… ku s’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.” Ai deklaroi se qeveria nuk do t’i përgjigjet me arbitraritet, por do të veprojë me durim strategjik dhe do të kërkojë zgjidhje kushtetuese.
Burimi: A2 Televizion.