Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se vendi i tij e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, duke theksuar progresin në zbatimin e reformave dhe mbështetjen e gjerë të qytetarëve për integrimin. Në një intervistë për Euronews, ai pranoi se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten sfida serioze, por shtoi se këto nuk janë probleme vetëm të Shqipërisë: “Edhe Brukseli ka krim.”
Rama theksoi nevojën për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, pas më shumë se një dekade reformash dhe angazhimi të vazhdueshëm. Ai u shpreh se faza përfundimtare e negociatave është tashmë në zhvillim dhe se viti 2030 është një afat i arritshëm për anëtarësim.
Shqipëria është vend kandidat për më shumë se dhjetë vjet, ndërsa dinamika e re gjeopolitike pas pushtimit rus të Ukrainës ka shtuar vullnetin e BE-së për zgjerim. Si rezultat, Shqipëria shihet si një ndër vendet më të favorizuara në këtë proces.
Rama, në detyrë që nga viti 2013 dhe i konfirmuar me një mandat të katërt në vitin 2024, tha se vendi ka përjetuar një transformim të thellë dhe mbetet i përkushtuar ndaj vlerave evropiane. Ai e cilësoi Bashkimin Evropian si një “perandori të mirë” që garanton lirinë dhe sundimin e ligjit.
Komisioni Evropian ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë dhe ka theksuar se, nëse ritmi i reformave ruhet, vendi mund të jetë gati për anëtarësim deri në fund të dekadës. Me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, sa qyteti i Pragës, Shqipëria paraqet pak sfida për kapacitetin përthithës të BE-së, si në aspektin demografik ashtu edhe ekonomik.
Sidoqoftë, Komisioni kërkon që Shqipëria të thellojë përpjekjet kundër krimit të organizuar, të përmirësojë mekanizmat për parandalimin e pastrimit të parave dhe të forcojë masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore, për t’u përafruar me standardet e BE-së.
Në intervistën për Euronews, Rama pranoi se këto janë sfida reale:
“A kemi probleme me krimin e organizuar? Po, por kush nuk ka? Shikoni këtë qytet (Brukselin). Ky është një shembull tjetër. Por ka edhe gjëra të shkëlqyera.”
Ai shtoi se perceptimi ndërkombëtar për Shqipërinë ka ndryshuar rrënjësisht:
“Dikur na shihnin si një gropë të mjerë në mes të Evropës, tani na shohin si pjesë të mozaikut evropian.”
Gjatë qëndrimit në Bruksel për një forum të Komisionit Evropian mbi zgjerimin, Rama përmendi mbështetjen që ka marrë nga homologët evropianë, veçanërisht nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
Ai përmendi gjithashtu marrëveshjen e nënshkruar me Italinë në vitin 2023 për ngritjen e qendrave të migracionit në territorin shqiptar, të financuara dhe menaxhuara nga autoritetet italiane. Pavarësisht kritikave dhe shqetësimeve për shkelje të mundshme të parimeve të ligjit të azilit, Rama e mbrojti marrëveshjen si shenjë solidariteti me Italinë në një moment me presion të madh migrator.
“Italia na kërkoi. Dhe kur Italia kërkon, ne gjithmonë themi po. Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace,” deklaroi ai.
Rama shtoi se ky “model shqiptar” nuk do të jetë shembull për vendet e tjera, edhe pse disa shtete kanë shprehur interes në kontekstin e një qasjeje më të ashpër të BE-së ndaj migracionit.