Reagime politike pas dështimit të Vetëvendosjes për formimin e qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar për herë të dytë në përpjekjen për të formuar qeverinë. Në seancën e fundit të Kuvendit nuk u siguruan votat e mjaftueshme për Glauk Konjufcën që të mandatohej si kryeministër.

Pas kësaj, ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo publikoi një fotografi në Facebook që tregonte deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke votuar kundër krijimit të qeverisë, të cilët ishin të ulur përpara deputetëve të Listës Serbe. Fotografinë ajo e shoqëroi me përshkrimin “në harmoni të plotë”, duke aluduar në një koordinim mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të Listës Serbe.

Ky koment ngjalli reagime nga deputetët e PDK-së. Ndër të parët që reaguan ishte Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Ai deklaroi se Haxhiu kishte barazuar deputetët shqiptarë me ata serbë për të njollosur figurat e tyre dhe u shpreh se në rreshtin e tij kishte deputetë që kishin humbur familjarë gjatë luftës ndaj ushtrisë serbe, përfshirë edhe bashkëluftëtarë të Adem Jasharit.

Krasniqi shtoi se veprimet publike të Haxhiut janë më të afërta me politikat fashiste të Serbisë sesa vota kundër formimit të qeverisë.

Reagim të ashpër pati edhe nga deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo e kritikoi Haxhiun për, siç u shpreh, përdorimin e një “narracioni të ultë politik” dhe theksoi se është e papranueshme që një përfaqësuese e lartë e shtetit ta akuzojë mbesën e Adem Jasharit për bashkëpunim me Listën Serbe. Çitaku theksoi se çdo deputet i PDK-së ka dhënë më shumë kontribut për shtetin se sa, sipas saj, Haxhiu.

“Diku kemi gabuar që një profil i tillë ka arritur të mbajë pozita të larta shtetërore. Por uroj që kjo të jetë shenja e fundit të këtij mentaliteti. E turpshme, për besë”, shkroi ajo.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *