E ardhmja e mesfushorit Nico Paz mbetet në qendër të vëmendjes në zyrat e Real Madridit. Klubi nuk ka marrë ende vendim përfundimtar dhe po vlerëson dy skenarë: rikthimin e tij në “Santiago Bernabéu” ose shitjen për një shumë të konsiderueshme, duke përfituar nga rritja e vlerës së lojtarit.
Në verën e vitit 2024, Real Madrid pranoi transferimin e Nico Paz te Como për 6 milionë euro. Në atë kohë argjentinasi 21-vjeçar kishte pak hapësira te ekipi i parë të Madridit, ndërsa klubi italian, i drejtuar nga Cesc Fabregas, e konsideroi si një lojtar me potencial të menjëhershëm.
Zgjedhja rezultoi e suksesshme: Paz u shndërrua në një element kyç të skemës së Comos, duke zhvilluar 47 ndeshje zyrtare dhe regjistruar 10 gola e 13 asiste.
Real Madrid ka ruajtur 50% të të drejtave ekonomike të lojtarit dhe tre klauzola riblerjeje. Njëra prej tyre ka skaduar verën e kaluar, ndërsa dy të tjera mbeten aktive për vitet 2026 dhe 2027, përkatësisht për 9 dhe 10 milionë euro.
Sipas gazetës AS, Los Blancos po shqyrton seriozisht rikthimin e Paz për verën e ardhshme, për shkak të përparimit të tij. Megjithatë, interesimi i klubeve të mëdha evropiane, si Chelsea, Tottenham dhe Inter, nuk përjashton mundësinë e një shitjeje përfundimtare, e cila do të ishte fitimprurëse për klubin.
Burimi: Telegrafi (me referencë AS).