Reshje dhe rrëshqitje dherash në qarkun e Elbasanit, ndërhyrje në kohë për normalizimin e situatës

Qarku i Elbasanit vijon të ndikohet nga kushte atmosferike të përkeqësuara, me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të cilat kanë shkaktuar disa problematika të përkohshme në terren.

Sipas Emergjencave Civile të Prefekturës, reshjet kanë arritur deri në 33 mm. Situatat problematike janë menaxhuar në kohë nga strukturat përgjegjëse.

Rënie gurësh dhe inertesh janë regjistruar në disa akse kryesore, përfshirë segmentin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, veçanërisht në kthesat e Murrashit, si dhe në aksin Gramsh–Moglicë, ku reshjet kanë sjellë rrëshqitje dhe aluvione. Ekipet e mirëmbajtjes ndërhynë menjëherë për pastrimin e rrugëve, duke garantuar qarkullimin normal të mjeteve.

Situata hidrologjike raportohet e qëndrueshme. Përrenjtë Zaranikë dhe Pajun kanë prurje mesatare, ndërsa lumenjtë Shkumbin dhe Devoll shfaqin nivele mbi mesataren, por pa rrezik për daljen nga shtrati apo përmbytje. Prurjet në lumin e Kërpicës janë gjithashtu të kontrolluara.

Probleme janë shfaqur edhe në furnizimin me energji elektrike në disa zona malore. Më të prekura janë zona e Sopotit në bashkinë Prrenjas, fideri i Banjës në Gramsh, si dhe fshatrat Selitë dhe Mollas në Cërrik. Ekipet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *