Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, specialistja e Biokimisë Klinike, Nerxhivane Gërguri-Retkoceri, ka folur për rëndësinë e biokimisë klinike në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve.
Sipas saj, biokimia klinike është një disiplinë mjekësore që studion çrregullimet e metabolizmit në organizëm. Ajo thekson se në trupin e njeriut zhvillohen përditë procese të shumta metabolike, të cilat varen nga ekuilibri mes substancave ushqyese dhe funksionimit të organeve.
“Kur këto procese zhvillohen normalisht, trupi konsiderohet i shëndetshëm. Çdo devijim i metabolizmit reflektohet menjëherë në analizat laboratorike, duke sinjalizuar se diçka nuk po funksionon si duhet”, shpjegon Gërguri-Retkoceri.
Ajo e përshkruan laboratorin si një pasqyrë të brendshme të trupit, duke nënvizuar se analiza të thjeshta mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, shpesh edhe para se të shfaqen simptomat klinike.
Për më shumë informacion, mund të ndiqni podcastin e plotë në YouTube në kanalin “Shëndeti në rend të parë”.