Rrëfimi i një fëmije gjatë luftës në Kosovë: Humbjet, kujtimet dhe fuqia e fotografisë

“E mbaj mend radhën e pafund të njerëzve: familje që mbanin fëmijë, të moshuar që mezi ecnin dhe heshtjen e frikës që na shoqëronte kudo.”

Deri më 15 prill 1999, lufta në Kosovë kishte marrë një tjetër hov. Atë ditë, unë dhe familja ime u detyruam të largohemi nga shtëpia në Mitrovicë, për të kërkuar strehim në Shqipëri.

Gjyshja ime 89-vjeçare eci për afër 30 kilometra, deri kur nuk mundi më. Vëllai im i madh e mori në shpinë, por vetëm për disa kilometra, derisa një polic serb ndaloi një kamion të mbushur me refugjatë dhe urdhëroi që gjyshja të merrej në bord. Për ne nuk kishte vend. Kamioni u largua. Ajo ishte hera e fundit që e pamë.

Pas përfundimit të luftës, babai nisi të kërkonte varre përgjatë rrugës që kishim ndjekur si refugjatë, me shpresën se do të gjente eshtrat e nënës së tij për t’i dhënë një varrim të denjë. Ai vdiq pa e gjetur.

Pas tri ditësh ecjeje drejt kufirit, ishim të detyruar të braktisnim sendet tona më të çmuara, përfshirë albumet fotografike. Thjesht po përpiqeshim të mbijetonim.

Për pesë ditë, ne dhe shumë familje të tjera ishim të bllokuar në një fabrikë përpunimi druri në fshatin Strellc, të pasigurt për fatin tonë. Më kujtohet se si unë, vëllai binjak dhe disa shokë, dilnim natën fshehurazi për të rrëmihur tokën në një arë, në kërkim të patateve për të zbutur urinë. Ishim fëmijë, por uria na kishte bërë të patrembur – ndoshta vetëm të dëshpëruar.

Pesë ditë pasi braktisëm shtëpinë, policia serbe na ktheu me kamion në Mitrovicë, për të na përdorur si mburojë gjatë bombardimeve të NATO-s. Na hodhën nëpër kamionë si thasë, mbi njëri-tjetrin, ndërsa përpiqeshim të merrnim frymë.

Më 28 maj 1999, arritëm të iknim nga Kosova dhe u strehuam në Mal të Zi. Kur u kthyem pas një muaji, shtëpia ishte djegur dhe shkatërruar. Çdo gjë që kishim ndërtuar, kishte humbur.

Midis 20 prillit dhe kthimit tonë, jetuam të fshehur, duke dëgjuar vetëm kaos dhe duke u lutur që të mos na gjenin. Flinim me rrobat e trupit dhe me këpucë të mbathura, gjithmonë gati për të ikur.

Çdo hap përpara ishte një tjetër humbje. Ajo që ende më rikujton gjithçka është fotografia me titull “Binjakët”. Në të ishim unë dhe vëllai im, të veshur njësoj. Kjo fotografi nuk përfaqëson vetëm fëmijërinë, por gjithë humbjen – shtëpinë, kujtimet, pafajësinë.

Si ne, shumë fëmijë të tjerë në Kosovë u detyruan të rriteshin brenda natës. Nga fushat e futbollit përfunduam duke luajtur me armë prej druri, duke riprodhuar dhunën që mezi e kuptonim. Mësuam tingujt e tankeve përpara atyre të paqes. Shumë fëmijë nuk patën mundësi të rriteshin fare.

Gjatë luftës, mbi 1,000 fëmijë u vranë dhe më shumë se 100 u zhdukën. Në disa qytete, familje të tëra u shuan. Vetëm në Gjakovë, 112 fëmijë u vranë – më i vogli vetëm disa muajsh. Në Poklek, mbi 20 fëmijë u masakruan në një ditë të vetme.

Këto nuk janë thjesht statistika. Janë fytyra, emra dhe rrëfime të ndërprera. Secili prej tyre ka mundur të jetë vëllai im binjak, fqinji a shoku im. Apo vetë unë.

Për ata prej nesh që ishim fëmijë atëherë, lufta nuk ka përfunduar kurrë – vetëm ka ndërruar formë. Ajo mbetet në kujtimet tona, në fotografitë që nuk ekzistojnë më dhe në fytyrat e atyre që ende nuk janë gjetur.

Unë pata fatin të shpëtoj dhe u bëra fotograf. Në fillim të viteve 2000, fillova të dokumentoj rrëfimet e personave të zhdukur në Kosovë – jo vetëm për shkak të gjyshes sime, por sepse këto rrëfime na takojnë të gjithëve. Ky projekt u shndërrua në një formë përballjeje me humbjen dhe përpjekje për të dhënë zë atyre që ende presin.

Fotografia për mua nuk është vetëm kujtim, por edhe drejtësi. Është mënyrë për të ruajtur dinjitetin, për të sfiduar heshtjen dhe për të mos harruar, aty ku e vërteta ende nuk është thënë.

Këto fotografi janë realizuar në mbi një dekadë, në Kosovë dhe rajon. Ato përqendrohen tek familjet e të zhdukurve, gjurmët që lanë pas dhe përpjekjet për të ruajtur kujtesën dhe të vërtetën.

Janë pamje që na tregojnë botën përmes qëndresës së qetë të atyre që ende presin.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *