Sot, rreth orës 16:30, në Pikëkalimin Kufitar Vermicë, zyrtarët doganorë dërguan për kontroll të detajuar një automjet furgon, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Policinë Kufitare.
Gjatë intervistimit, pala deklaroi se nuk kishte mallra për deklarim. Megjithatë, në kontroll u gjetën mallra të padeklaruara, të ndaluara dhe të rrezikshme (eksploziv), të vendosura në disa thasë dhe pako, me peshë të përafërt rreth 300 kilogramë. Mallrat ishin të fshehura në bagazhin e automjetit dhe të kamufluara me pajisje peshkimi.
Mallrat u ndaluan, dhe ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK). Rasti i është dorëzuar Policisë Kufitare, e cila po zhvillon veprimet e mëtejshme ligjore.
Dogana e Kosovës deklaron se mbetet e angazhuar në parandalimin e kontrabandës dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mallrat e rrezikshme. Burimi: Telegrafi.