Interesimi i skuadrave të Premier League për sulmuesin 21-vjeçar Gonzalo García është rritur javët e fundit, me Brightonin dhe disa klube të tjera angleze që janë të gatshme të lëvizin në janar, nëse Real Madridi miraton huazimin.
Sipas Diario AS, garë për talentin po intensifikohet, megjithatë vetë García ka bërë të qartë prioritetin e tij: të fitojë besimin e trajnerit Xabi Alonso dhe të zhvillohet te Real Madrid.
Gonzalo shfaqi paraqitje të spikatura në Kupën e Botës për Klube, ku realizoi katër gola dhe një asist në gjashtë ndeshje, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i turneut. Pas paraqitjeve aty, ai siguroi edhe rinovimin e kontratës me klubin deri në vitin 2030.
Megjithatë, në sezonin aktual ai ka luajtur vetëm 105 minuta në total, në nëntë ndeshje, dhe ka nisur nga minuta e parë vetëm një herë – ndaj Espanyolit. Momenti i tij më i mirë deri tani këtë sezon ishte asistimi në Ligën e Kampionëve kundër Kairat Almaty.
Mungesa e hapësirës në një repart sulmi të ngarkuar ka bërë që klubet angleze ta shohin situatën si mundësi merkatoje. Për klubet si Brighton, janari paraqet një mundësi strategjike për huazime të lojtarëve të rinj me potencial.
Tani vendimi është në duart e Real Madridit: të mbajë García si alternativë në stol ose ta lejojë të shkojë në Angli për të marrë më shumë minuta dhe ritëm. Dritarja e janarit po afron dhe klubi madrilen pritet të marrë vendimin që mund të ndikojë në ecurinë e karrierës së një prej talenteve të tij më premtues.