Rusia planifikon Kupë Botëje paralele gjatë Botërorit 2026 për ekipet që nuk kualifikohen

Pas përjashtimit nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s, Bashkimi Rus i Futbollit po konsideron organizimin e një turneu ndërkombëtar paralele gjatë Kupës së Botës 2026, sipas raportimeve ndërkombëtare.

Rusia është përjashtuar nga garat nën juridiksionin e FIFA-s dhe UEFA-s që nga shkurti i vitit 2022, pas pushtimit të Ukrainës. Përfaqësuesja kombëtare, nën drejtimin e trajnerit Valery Karpin, ka zhvilluar kryesisht ndeshje miqësore kundër skuadrave jashtë Evropës gjatë pothuajse tre viteve të fundit. Gjatë kësaj periudhe të luajtura 21 ndeshje pa humbje, por niveli i kundërshtarëve ndryshoi ndjeshëm — nga ndeshje kundër Iranit dhe Bolivisë te fitore të thella ndaj Kubës (8-0) dhe Bruneit (11-0). Pjesëmarrja e fundit e Rusisë në një garë të FIFA-s ishte si organizatore e Kupës së Botës 2018; më pas, për shkak të përjashtimit, ata nuk morën pjesë në turneun e vitit 2022 dhe u penguan të merrnin pjesë në kualifikueset për 2026.

Sipas raporteve, koncepti i propozuar nga Bashkimi Rus i Futbollit është një ‘‘Kupë Botëje’’ alternative që do të organizohej në Rusi në të njëjtën periudhë si Botërori 2026. Turneu do të përfshinte vetëm kombëtaret që nuk arritën të kualifikohen për Kupën e Botës dhe pritet të jetë i shkurtër, me tetë deri në dymbëdhjetë ekipe. Ndeshjet planifikohen të luhen në katër stadiumet e përdorura gjatë Botërorit 2018.

Sipas të njëjtave raportime, iniciativa ka karakter sportiv dhe simbolik: do të shërbente për të ruajtur dukshmërinë e Rusisë në skenën ndërkombëtare dhe për të demonstruar kapacitetet organizative. Ndër emrat e përmendur si pjesëmarrës potencialë, përveç vendit pritës, janë Serbia, Greqia, Kili, Peruja, Venezuela, Nigeria, Kameruni, Kina dhe Armenia.

Megjithatë, plani mbetet jozyrtar. Nuk ka konfirmim zyrtar nga Bashkimi Rus i Futbollit dhe nuk është e sigurt nëse vendet e ftuara do të pranojnë të marrin pjesë. Ekzistojnë gjithashtu pyetje për legjitimitetin e një turneu të tillë në sytë e FIFA-s dhe për konfliktet me orarin e Kupës së Botës së vërtetë.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *