Sadio Mané ka rrëfyer se si është përmirësuar marrëdhënia e tij me Mohamed Salah pas incidentit të famshëm në ndeshjen ndaj Burnley.
Të dy do të mbahen mend si një nga dyshet më të mira sulmuese të epokës moderne. Mané dhe Salah luajtën rol kyç në fitimin e katër trofeve të mëdha nën drejtimin e Jurgen Klopp, përfshirë titullin e 19-të në sezonin 2019/20.
Ngjarja ndaj Burnley u bë e njohur kur Mané u pa i irrituar në stol, pasi Salah vendosi të gjuante në portë në vend që t’i pasonte një top të thjeshtë.
“Isha vërtet, vërtet i zemëruar pas ndeshjes (kundër Burnley) dhe ditën tjetër, ai erdhi tek unë”, rrëfeu Mané. “Të nesërmen ai erdhi tek unë dhe tha: ‘A mund të flasim?’ Dhe unë i thashë: ‘Po, s’ka problem, le të flasim’.”
Salah i shpjegoi: “Ti mendon se nuk doja të ta pasoja? Unë s’kam shënuar, Bobby shënoi. Por edhe kur e mora topin, nuk po mendoja fare për të pasuar, as nuk të pashë. Thjesht e mora topin dhe doja të gjuaja. Nuk kam asgjë kundër teje dhe, sinqerisht, nëse do të të kisha parë, do të ta kisha pasuar.”
Mané shtoi se i kishte thënë atij të mos shqetësohej: “Jo, mos u shqetëso. Ka kaluar. U zemërova sepse mendoj se mund të më pasoje më shumë, me cilësinë që ke.”
Burimi: Telegrafi