Në xhiron e 34-të të kampionatit brazilian, Santos barazoi 1-1 si vendas ndaj Mirassol, duke vazhduar betejën për mbijetesë këtë sezon.
Neymar shënoi golin e Santosit, duke ndërprerë një ‘agjërim’ 107-ditor. Goli erdhi në minutën e katërt: pas një goditjeje nga këndi të Mirassol, Lautaro Díaz bëri një pasim të gjatë nga gjysma e fushës, dhe Neymar mbeti i vetëm përballë portierit Walter, të cilin e mposhti për 1-0.
Reinaldo barazoi nga pika e bardhë dhe ndeshja përfundoi 1-1.
Me katër ndeshje të mbetura, Santos ka vetëm një pikë më shumë se Vitoria, skuadra që ndodhet në zonën e rënies nga kategoria.
Goli i Neymarit ishte i pari i tij që nga 5 gushti, në xhiron e 18-të, kur Santos mposhti Juventude me rezultatin 3-1.
Që nga ardhja nga Al-Hilal në fund të janarit, Neymar ka luajtur 25 ndeshje për Santos dhe ka shënuar shtatë gola.
/Telegrafi/