Sarajeva kërkon drejtësi për viktimat e snajperëve gjatë luftës

Qytetarët e Sarajevës, të cilët humbën të afërmit e tyre gjatë rrethimit të qytetit nga viti 1992 deri në 1995, kërkojnë identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të sulmeve snajperiste ndaj civilëve. Edhe pse kanë kaluar tri dekada nga lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhimbja për viktimat mbetet e gjallë.

Banorët e kryeqytetit u përballën me rrezik vdekjeje në çdo hap gjatë rrethimit thuajse katërvjeçar, ku qindra njerëz u vranë nga zjarri i mortajave dhe snajperëve. Së fundmi, një hetim i nisur në Milano ka rikthyer vëmendjen ndërkombëtare mbi një episod të errët të luftës: thuhet se shtetas të huaj kishin udhëtuar në Sarajevë gjatë fundjavave dhe kishin paguar snajperë serbë për të qëlluar mbi civilë, për qëllime “argëtimi”.

I ashtuquajturi “turizëm lufte” u përmend për herë të parë në gazetën boshnjake “Oslobodjenje” më 1 prill 1995, nën titullin “Safari snajperësh në Sarajevë”. Qytetarët kërkojnë që personat e përfshirë në këto veprime të cilësohen si “vrasës” dhe “terroristë”, jo “turistë”.

Gjatë rrethimit, rreth 11.541 civilë u vranë, përfshirë mbi 1.600 fëmijë. Shënjestrimi i veçantë i fëmijëve është një nga çastet më të errëta të asaj periudhe.

Fatima Popovac humbi të birin, Adnanin, në moshën gjashtëvjeçare nga zjarri i snajperëve. Ajo tha se dëshiron drejtësi dhe që vrasësi i djalit të saj të identifikohet. “Të vrasësh një fëmijë për argëtim, nuk mund ta kuptoj fare këtë”, theksoi ajo, duke apeluar që edhe ata që i mundësuan këto krime të mbajnë përgjegjësi.

Xhemil Hoxhiq, i cili drejton projektin “SniperAlley”, që dokumenton krimet e luftës përmes imazheve të kohës, humbi vëllanë më të madh nga zjarri snajperist. Ai theksoi se sulmet e tilla ishin terrorizëm dhe kërkoi ndëshkim për përgjegjësit realë. Hoxhiq shprehu shpresë se hetimi i hapur në Itali mund të sjellë drejtësi, duke shtuar se disa prej personave të përfshirë kishin ardhur nga Serbia me ndihmë të strukturave shtetërore.

Sipas tij, Bashkimi Evropian mban një qëndrim të dyfishtë ndaj Bosnjës, duke toleruar figura të përfshira në luftë, ndërsa qytetarët boshnjakë nuk dinë si të kërkojnë të drejtat e tyre. “Do të luftoj për të vërtetën për sa kohë që jetoj”, u shpreh ai.

Në vitin 2021 dolën imazhe të reja që dokumentonin snajperët serbë duke qëlluar mbi civilë gjatë luftës, duke rikujtuar edhe një herë traumat e rënda të asaj periudhe.

Sarajeva u sulmua më 6 prill 1992. Gjatë rrethimit 3.5-vjeçar, trupat serbe bombarduan dhe shkatërruan infrastrukturën e qytetit, duke vrarë mijëra njerëz e duke lënë plagë të pashlyeshme në shoqërinë boshnjake.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *