Seanca për vrasjen e Liridona Ademajt ndërpritet për shkak të problemeve teknike, e radhës më 12 dhjetor

Gjyqtarja Fatime Dërmaku propozoi ndërprerjen e seancës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt për shkak të problemeve teknike. Seanca e radhës u caktua të mbahet më 12 dhjetor.

Në shqyrtim ishte parashikuar shfaqja e sekuencave video nga shtëpia e të pandehurit Naim Murseli, por për shkak të sasisë së materialeve dhe madhësisë së skedarëve pamjet nuk u transmetuan para trupit gjykues.

Trupi gjykues vendosi se duhet t’u jepet kohë palëve për t’i bartur dhe përgatitur materialet, përndryshe seanca do të vazhdojë më 12 dhjetor.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq u pajtua me propozimin dhe tha se nuk është bërë asnjë selektim i pamjeve, për të mos ngritur dyshime për fshehje nga ana e prokurorisë. Ajo shtoi se gjatë pauzave ka tentuar të kontaktojë zyrtarë IT për të ndarë videot, por materiale të tilla nuk kanë qenë të disponueshëm menjëherë. Një skedar video me pamje para shtëpisë së të akuzuarit është shumë i madh, rreth 700–800 gigabajt, prandaj prokuroria do të mundohet t’i ndajë sekuencat dhe t’i dorëzojë të ndara për seancën e ardhshme.

Prokuroria deklaroi se ka dorëzuar në hardisk të gjitha përmbajtjet pa i ndarë dhe pa shkëputur sekuenca, për të shmangur çdo dyshim lidhur me mungesë informacioni.

Trupi gjykues miratoi propozimin e prokurorisë dhe ndërpreu seancën; seanca e radhës do të mbahet më 12 dhjetor, nga ora 09:00 deri në 12:00, sipas agjendës së përcaktuar.

Paraprakisht ishte mbajtur një pauzë deri në orën 13:10 për shkak të problemeve të njëjta teknike.

Në sallë kanë qenë të pranishëm të akuzuarit Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava. Po ashtu ishin të pranishëm vëllai i viktimës, Leonardi Ademaj, dhe avokati mbrojtës Leutrim Syla.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës. Mes të dyshuarve është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Dyshohet se ai i kishte premtuar Granit Plavës 30,000 euro për kryerjen e krimit, ndërsa i arrestuar tjetër në këtë rast është Kushtrim Kokalla.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *