Ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka reaguar pas deklaratave të ish-ministrit të Financave, Avdullah Hoti, lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban në Prishtinë në vitin 2017.
Hoti deklaroi se “Dardan Sejdiu, ish-nënkryetar i Prishtinës, në postimin e sotëm lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban në Prishtinë në vitin 2017, po gënjen” dhe shtoi se “Arsyeja pse z. Sejdiu po vazhdon me këtë gënjeshtër edhe pas tetë vitesh e di vetëm ai. Atëherë, ai dhe partia e tij e bënë kauzë politike këtë çështje për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë.”
Sejdiu tha se në postimin e tij të mëparshëm nuk e kishte përmendur emrin e Hotit, duke pritur që përvoja institucionale e tij ta kuptonte se problemi i ngritur nuk lidhej vetëm me vitin 2017, por me qeverinë aktuale, që sipas tij po e përdor Prishtinën si peng politik dhe tenton të miratojë një buxhet pa mandat e pa legjitimitet.
“Zotëria jo vetëm që ka zgjedhur me gënjy për të kaluarën, por po e përdor këtë gënjeshtër për t’i shërbyer narrativës së pushtetit aktual. Në vend se të flasë për krizën e transportit publik sot, ai ka vendosur të merret me mua dhe me vitin 2017,” shkruan Sejdiu.
Ai rikujtoi se gjatë periudhës 2015–2017 autobuset qenë të bllokuara për dy vjet në ministrinë ku udhëhiqte Hoti, me dokumente dhe mjete të gatshme, por pa vullnetin e ministrit për t’i nënshkruar, dhe se bllokada u thye vetëm pas protestave të qytetarëve.
Sejdiu akuzoi gjithashtu qeverinë aktuale se po shfrytëzon krizën e transportit publik për të krijuar panik dhe për të justifikuar një buxhet që, sipas tij, është i paligjshëm, duke e konsideruar këtë si një strategji politike e jo si mungesë aftësie. Ai theksoi se qëllimi i tij është të flasë për situatën aktuale të Prishtinës në vitin 2025: “Koha ka treguar kush e ka qytetin prioritet dhe kush vazhdon të jetë peng i së kaluarës së vet.”
Burimi: Telegrafi.