Sëmundja pulmonare obstruktive kronike, ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë globale

Pirja e duhanit dhe ndotja e ajrit janë ndër shkaqet kryesore të sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK), një ndër tri shkaqet kryesore të vdekshmërisë në mbarë botën, nga e cila humbasin jetën rreth tre milionë njerëz çdo vit.

Mjekët theksojnë nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje, simptomat e së cilës përfshijnë kollë kronike, nxjerrje sekrecionesh dhe vështirësi në frymëmarrje. Në rast të shfaqjes së këtyre simptomave, rekomandohet që qytetarët të kërkojnë kontroll mjekësor sa më parë.

Doc. dr. Zorica Nanoviq, udhëheqëse e departamentit në Institutin e sëmundjeve pulmonare dhe tuberkulozit, tha se sipas të dhënave nga Iniciativa Globale për SPOK-un, prevalenca e sëmundjes raportuar nga vendet është rreth 5 për qind, që përkthehet në rreth 100 mijë raste në vend. Megjithatë, sipas saj, besohet se numri real është më i lartë.

“Nuk ekziston një regjistër i saktë për numrin e të prekurve me SPOK. Gjatë muajve të dimrit, kur ndotja e ajrit është më e theksuar, vërehet rritje e ndjeshme e rasteve që kërkojnë trajtim spitalor dhe ambulantor. Është e domosdoshme që fëmijët të ruhen nga ekspozimi ndaj tymit të cigareve brenda në shtëpi. Në Maqedoni, 37 për qind e popullsisë janë duhanpirës. Duhanpirësit priren t’i injorojnë simptomat, duke i lidhur me zakonet e tyre, dhe shpesh sëmundja diagnostikohet në faza të avancuara”, tha dr. Nanoviq.

Prof. dr. Dimitar Karkinski, drejtor i Institutit të sëmundjeve pulmonare dhe tuberkulozit, tha se Instituti i është bashkuar fushatës për të rritur ndërgjegjësimin për SPOK-un. “Sëmundja është ndër tre shkaqet kryesore të vdekshmërisë globale dhe parashikohet që deri në vitin 2050 të jetë shkaku i dytë më i zakonshëm, me rreth gjashtë milionë vdekje në vit,” tha ai.

Sipas statistikave epidemiologjike, sëmundja shfaqet në 11.8 për qind të meshkujve dhe 8.5 për qind të femrave mbi moshën 40 vjeç, që mesatarisht përbën 10.3 për qind të kësaj grupmoshe. “Pavarësisht kësaj prevalence, ka pak pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore apo trajtim. SPOK-u mbetet një sëmundje e panjohur nga pacientët dhe e nën-diagnostikuar nga mjekët,” përfundoi dr. Karkinski.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *